BFI ndjehet e diskriminuar

Që nga viti 2000 kur edhe është sjell Ligji për denacionalizim, BFI-ja ka bërë kërkesë të shumta deri në sektorin kompetentë të Ministrisë së Financave, mirëpo edhe pas kaq vitesh është arritur të kthehet vetëm 10 për qind e pronave që i takojnë BFI-së.

Rreth 90 për qind e pronës vazhdon të shfrytëzohet nga të tjerët dhe të keqpërdoret nga ana e shtetit dhe persona të papërgjegjshëm. Kështu thotë përfaqësuesi i BFIsë, Driton Dikena, i cili shton se puna ka ngecur aty ku edhe ka filluar, domethënë asgjë nuk është ndryshuar për të mirë. Sipas tij, ky shtet asnjëherë nuk ka pasur qëllim të përfundojë procesin e denacionalizimit ashtu si duhet, por ka dashur të bëjë një denacionalizim sa për sy e faqe, me të cilin BFI-ja asnjëherë nuk do të pajtohet.

“BFI-ja ka tentuar në mënyrë juridike ta kthejë pronën e vetë, mirëpo deri më tani është bërë shumë pak. Institucionet personat kompetent nuk respektojnë as ligjin e as të drejtën e pronës. Me siguri që duhet të ulemi dhe të bisedojmë dhe të gjejmë një formë tjetër me partitë politike dhe me institucionet e shtetit. Duhet të flasim dhe të gjejmë mënyrë se si të denacionalizojmë vakëfin e BFI-së, se ndryshe punët nuk janë mirë. Është shumë e qartë se kjo mënyrë e denacionalizimit nuk ka sukses”, thotë Dikena.

Gjithashtu ai thekson se arsyetimet e MF-së janë sa banale aq edhe të papërgjegjshme, jo juridike, jo profesionale. Për ta sqaruar këtë banalitet ai jep shembullin për vendin vakëf që ka qenë pronë e BFI-së, vendi afër Shtëpisë së Nënë Tereza, konkretisht para Shtëpisë së Armatës, aty ku tani është bërë parku. Sipas Dikenës, vendi në fjalë është pronë e BFI-së, mirëpo shteti ka vendosur që në atë vend të ndërtojnë kishën që deshën ta ndërtojnë në qendër të Shkupit. Për këtë vakëf, informon Dikena, BFI ka bërë kërkesë që nga viti 2000 dhe ende nuk është marrë asnjë përgjigje, ndërkohë që është vendosur që ai vend i dedikuar për park dhe gjelbërim, me një vendim politik të shfrytëzohet për ndërtimin e kishës, ndërkohë BFI-së nuk mund t`i jepet, sepse ashtu do politika.

Kryetarja e Komisionit për marrëdhënie ndërfetare, Valentina Bozhinovska, theksoi së denacionalizimi i tokave në pronë të bashkësive fetare nuk është në kompetencë tonën. “Ministria e Financave ka organ kompetentë që kujdeset dhe vendos për atë çështje dhe në bazë të vendimeve të cilën sillen organi kompetentë që ndodhet në MF, gjegjësisht kryetari i komisionit, i kthen pronat. Ne nuk kemi asnjë njohuri për atë dhe kërkesat që BFI-ja i ka dorëzuar i ka parashtruar tek MF-ja, konkretisht në Sektorin për denacionalizim. E di dhe kam dëgjuar se ekziston pakënaqësi në BFI-së për mos-kthimin e tokave që dikur kanë qenë në pronë të tyre, por shpresoj dhe besoj se do të gjendet një gjuhë e përbashkët dhe do të rregullohet gjithçka”, shprehet Bozhinovska.

Nga një studim i realizuar nga Qendra Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtarë shihet se denacionalizimi tërësisht është kryer në pronat e Bashkësinë hebraike, 50 për qind në ato të Kishës Ortodokse Maqedonase, kurse 5 për qind në pronat e BFI-në, për pronat e Kishës katolike nuk ka përfunduar procedura, ndërsa Kisha evangjeliste e metodike për shkak se nuk posedon dokumentacion, nuk ka bërë asnjë kërkesë për denacionalizim. Shkalla e ndryshme e suksesit në këtë proces shqetëson BFI-në që të ndjehet jo e barabartë dhe e diskriminuar nga ana e shtetit./koha.mk/

You must be logged in to post a comment Login