Suzana Saliu, nënkryetare e Kuvendit

Nënkryetarë të Kuvendit të Maqedonisë do të jenë Suzana Saliu nga rradhët e BDI-së, Jani Makraduli nga LSDM-ja dhe Svetllana Jakimovska nga VMRO-DPMNE.

Propozimet për nënkryetarët e Kuvendit kaluan sot në mbledhjen e Komisionit për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve. Votimi i tyre pritet të bëhet në seancën e ardhshme parlamentare.“Është nderë për ne deputetët e vjetër të BDI-së që para jush dalim me këtë propozim për të dëshmuar edhe një herë përcaktimin tonë për prurje të reja jo vetëm cilësore por edhe gjinore dhe jam i bindur që zonja Suzana Saliu bashkë me kolegen tonë të nderuar nënkryetaren e ardhshme zonjën Svetllana Jakimovska, do të jenë jo vetëm nënkryetare të mira por do të jenë përfaqësuese të denja të femrës në politikë” tha Xhevat Ademi, deputet i BDI-së. “Është interesant se para disa ditësh kishim seancë plenare në parlament ku zgjodh kryetari i parlamentit dhe kishim një periudhë kohore disa javore para asaj kur prej BDI-së tërë kohës brifonin opinionin se do ta marrin si pozicionin kryetarin e Parlamentit, për arsye shumë parimore, se është një nga tre funksionet kryesore në shtet dhe ishte koha sipas tyre përfundimtare që një nga ato të jetë përfundimisht shqiptar” tha Imer Aliu, deputet i PDSH–së. Por debat më të madh mes mazhorancës dhe opozitës maqedonase shkaktoi propozimi i LSDM-së për Jani Makradulin. “z.Jani Makraduli në tre vitet që ishte nënkryetar i Kuvendit nuk arriti që funksionin e tij sipas rëndësisë ta lë mbi përkatësinë e tij politike të LSDM-së. Edhe pse Jani Makraduli kishte pozitë përgjegjëse, ai vendoste ta bojkotonte punën e Kuvendit çdoherë kur LSDM-ja merrte vendim të tillë. Me këtë Makraduli tregoi se nuk është nënkryetar i Kuvendit në tërë përbërjen dhe për gjithë deputetët por është nënkryetar i parlamentit për deputetët dhe vendimet e LSDM-së” Ilija Dimovski  deputet i VMRO-DPMNE-së. “Në përputhje me përvojën politike të Makradulit, jam i bindur se do të angazhohet në kuadër të mundësive që ua jep kryetari i Kuvendit dhe asaj që i garanton Rregullorja, që këtij Kuvendi t’ia kthejë rolin e vërtetë dhe ta demokratizojë dhe sa do të mundet si opozitë që ky Parlament të jetë korrektues i Qeverisë së Gruevskit e jo vetëm filial e tij” tha Emilian Stankoviq,deputet i LSDM-së. Në mbledhjen e sotme, anëtarët e Komisionit për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve u miratuan edhe emrat e kryetarëve dhe anëtarëve të komisioneve parlamentare. Komisionin për çështje kushtetuese do ta drejtojë kryeparlamentari Trajko Veljanovski, Komisionin për mbrojtje dhe siguri Vllatko Gjorçev, Komisionin për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive do ta drejtojë Ilija Kitanovski, Komisionin për politikë të jashtme do ta drejtojë ish shefi i diplomacisë Antonio Milloshovski, kryetar  Komisionit për çështje evropiane do të jetë Hajrulla Misini, komisionin anketues për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut do ta drejtojë Bekim Fazliu, Komisionin për mbikëqyrjen e punës së drejtorisë për siguri dhe kundërzbulim dhe të agjencisë për zbulim do ta drejtojë Goran Minçev, Komisionin për financa dhe buxhet Marjanço Nikollov, komisionin për transport, lidhje dhe ekologji do ta drejtojë Rexhail Ismaili, ndërsa kryetar i komisionit për vetë-administrim lokal është Xhevat Ademi./alsat-m/

You must be logged in to post a comment Login