Struga shtrenjton çmimet

Me fillimin e sezonit turistit, pronarët e lokaleve dhe bareve kanë rritur çmimet e shërbimeve. Bëhet fjalë për shtrenjtime që shkojnë nga 30 deri 50 për qind, praktikë e cila po ndiqet për disa vite rresht.

Rritja e çmimeve të shërbimeve zakonisht bëhet në fillim të korrikut dhe vazhdon deri në fillim të shtatorit, kur sërish çmimet rikthehen në nivelet e mëparshme. Nëse një makiato apo ekspreso gjatë pjesës tjetër të vitit është tridhjetë denarë, gjatë muajve të sezonit kushton 40 denarë, apo edhe më shumë varësiht nga atraktiviteti i lokalit. Gjithashtu kjo rritje e çmimeve prek edhe të gjithë gamën e pijeve të tjera freskuese si edhe ato alokolike. Por për shumë qytetar të Strugës dhe turistë, këto rritje çmimesh të shërbimeve në lokalet e qytetit nuk janë të mirëpritura dhe nuk reflektojnë fuqinë blerëse në këtë krizë. Ndërkaq, rritja e çmimeve nga pronarët e lokaleve arsyetohet me faktin se gjatë gjithë vitit me vështirësi arrijnë t’i mbulojnë harxhimet dhe sezoni është koha që fitimet e realizuara ndihmon për të vazhduar normalisht aktivitetin dhe për të mbijetuar. Ndërkohë në lidhje me këtë problematikë nga Komisioni për Mbrojtjen e Konsumatorit që funksionon në kuadër të pushtetit vendor, potencojnë se deri tani pranë këtij organi nuk janë regjistruar ankesa nga qytetarët në lidhje me këtë çështje. Gjithashtu, nga aty shtojnë se pronarët kanë të drejtë t’i rrisin çmimet, mjafton që ato të jenë të afishuara për klientët sepse, sipas komisioni komunal, është tregu, oferta dhe kërkesa, mekanizmi rregullator në këtë sektor. Ndërkohë për të gjithë ata që do të zgjedhin Strugën për pushime, çmimet e akomodimit nuk do të kenë ndryshime të mëdha nga vitet e kaluara, por në këtë aspekt nga disa hotelierë pohohet se do të ketë edhe ulje të çmimeve. Gjithashtu edhe nga sektori privat që identifikohet me dhënien e dhomave me qira për pushuesit, konfirmojnë se çmimet nuk do të ndryshojnë nga vitet e kaluara dhe ato do të lëvizin nga dyqind deri katërqind denarë për person, në varësi të kushteve që ofrohen në këtë shërbim. /koha.mk/

You must be logged in to post a comment Login