Strategji e heshtur për imponimin e maqedonishtes

Mësimi i gjuhës maqedonase më herët sesa që është paraparë në plan programin mësimor nuk u realizua deri më tani, por nuk anashkalohet mundësia që sërish të ketë përpjekje që të binden prindërit se kjo gjë është e nevojshme për një të ardhme më të mirë të fëmijëve të tyre.

Kryetari i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë (LASH), Nuhi Dardhishta thotë se tani më nuk është duke u biseduar për këtë çështje por ende kjo gjë nuk është tërhequr nga plan ii institucioneve përkatëse të cilat u munduan ta fusin të detyrueshme maqedonishten që nga klasa e parë.

“Deri më tani ne i kemi refuzuar të gjitha kërkesat për debate dhe tribuna sa i përket mësimit të maqedonishtes në moshë më të re. Ministria e Arsimit dhe Shkencës, po ashtu edhe ndërkombëtarët tani më e dinë qëndrimin tonë. Edhe pse për momentin kjo gjë ka kaluar në heshtje, institucionet përkatëse ende nuk lëshojnë dorë nga bindja që gjuha maqedonase duhet të mësohet më herët”, tha Dardhishta.

Ai shtoi se nuk dihet se a do të ketë tentime të reja, që të arrihet qëllimi, por deri më tani nuk ka ndryshim në plan programin mësimor. “Nuk e di se a do të ketë tentime të reja për ta futur maqedonishten që nga klasa e parë, por momentalisht në programin mësimor nuk ka asnjë ndryshim, që do të thotë do të mësohet që nga klasa e katërt nëntëvjeçare”, theksoi Dardhishta.

Ai gjithashtu tha se institucionet përkatëse duhet të kuptojnë se mësimi i gjuhës maqedonase që nga klasa e parë do t’i dëmtojë nxënësit, ngase është ngarkesë shumë e madhe dhe fëmija së pari duhet të mësojë në gjuhën amtare e më pas të familjarizohet me gjuhët tjera.

Ndërkaq në fillim të këtij vitit shkollor që lamë pas, Qeveria miratoi strategjinë të arsimit të integruar, i cili parasheh që fëmijët shqiptarë gjuhën maqedonase të mund ta mësojnë në klasën e parë, të dytë apo të tretë./lajmpress/

You must be logged in to post a comment Login