Shqiptarë e maqedonas, asnjë pakt për qeverisje

Edhe pse pritej për fundimi i negociatave për qeverinë e re, partia maqedonase VMRO-DPMNE dhe ajo shqiptare, BDI kanë rënë dakord që kjo të ndodhë gjatë javës së ardhshme.

Dy partitë aleate kanë shtyrë publikimin e përbërjes së re qeveritare për javën tjetër, pasi akoma nuk është arritur marrëveshja për ndarjen e disa drejtorive të rëndësishme.

BDI është e vendosur që të drejtojë njërën nga dy drejtoritë e Ministrisë së Punëve të Brendshme: Drejtorinë e Sigurimit Publik dhe Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim si dhe njërën nga dy drejtoritë e rëndësishme të Ministrisë së Financave: Drejtorinë e të Ardhurave Publike apo Drejtorinë e Doganave. Negociatat po vijojnë edhe lidhur me ndarjen e disa drejtorive të tjera, ndërsa marrëveshja është drejt finalizimit edhe për platformën politike që BDI synon ta përfshijë në programin qeveritar.

Nga BDI akoma nuk kanë zbardhur asnjë emër se kush do të drejtojë ministritë dhe disa kuadrot që do të jenë në pozitat e zëvendësministrave, sekretarëve shtetëror dhe drejtorive.

Nga ana tjetër, edhe në VMRO-DPMNE asnjë emër nuk është përfundimtar rreth përfshirjes në kabinetin e ri të mandatarit Nikola Gruevski.

Ditët e fundit nga të dyja partitë janë përmendur emra të kandidatëve për ministra, mirëpo asnjë prej tyre nuk është konfirmuar zyrtarisht nga shërbimet partiake.

You must be logged in to post a comment Login