Qeveria e re shtyhet për javën tjetër

Qeveria e re e Maqedonisë pritet të formohet javën e ardhshme. Kështu kanë rënë dakord VMRO-DPMNE dhe BDI duke e lënë për të martën përfundimin e marrëveshjes.

Mbrëmë nuk përfunduan negociatat për qeverinë e re në Maqedoni duke u shtyrë kështu për javën tjetër.

Dy partitë kanë shtyrë zbardhjen e përbërjes së re qeveritare për javën tjetër, pasi që akoma nuk është arritur marrëveshja për ndarjen e disa drejtorive të rëndësishme, ku BDI është e vendosur që të drejtojë njërën nga dy drejtoritë relevante të Ministrisë së Punëve të Brendshme: Drejtorinë e Sigurimit Publik dhe Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim si dhe njërën nga dy drejtoritë e rëndësishme të Ministrisë së Financave: Drejtorinë e të Ardhurave Publike apo Drejtorinë e Doganave.

Negociatat po vijojnë edhe lidhur me ndarjen e disa drejtorive të tjera, ndërsa marrëveshja është drejt finalizimit edhe për platformën politike që BDI synon ta përfshijë në programin qeveritar.

Nga BDI akoma nuk kanë zbardhur asnjë emër se kush do të drejtojë ministritë dhe disa kuadrot që do të jenë në pozitat e zëvendësministrave, sekretarëve shtetëror dhe drejtorive.

Nga ana tjetër, edhe në VMRO-DPMNE asnjë emër nuk është përfundimtar rreth përfshirjes në kabinetin e ri të mandatarit Nikolla Gruevski. /albeu.com/

You must be logged in to post a comment Login