Në Shkup bastardohet gjuha shqipe

Vazhdon bastardimi i gjuhës shqipe nëpër institucionet shtetërore dhe publike në Shkup. Kësaj here përgjegjësit e kopshtit zoologjik në kryeqytet, në mbishkrimin në gjuhën shqipe kanë shënuar “KAPSHTI ZOOLOGJIC’ në vend të “KOPSHTI ZOOLOGJIK’. Sipas  drejtuesve të kopshtit, për mbishkrimin në shqip janë konsultuar shqiptarë, ndërsa pas reagimit të ALSAT-M, ata kërkuan ndihmë me qëllim korrigjimin dhe shkrimin e drejtë.  Drejtuesit theksuan se ky gabim shumë shpejtë do të korrigjohet dhe në tabelën para kopshtit zoologjik, mbishkrimi në gjuhën shqipe do të shkruhet ashtu si duhet.  “Gabimet gjuhësore me mbishkrimet në gjuhën shqipe në qytetin e Shkupit nuk kanë të ndalur. Por falë intervenimit të televizionit ALSAT-M ky i fundit do të korrigjohet”, Ndërsa kryetari i Qytetit të Shkupit duke iu shmangur përgjegjësisë personale tha për ALSAT-M se përgjegjës për mbishkrimet në gjuhën shqipe janë sektorët në kuadër të qytetit, varësisht për çfarë shkrimi bëhet fjalë. Edhe Trajanovski njësoj si përgjegjësit e kopshtit zoologjik kërkoi ndihmën e ALSAT-M për të përmirësuar gabimet gjuhësore të cilat bëhen në Shqip.“Nëse flasim për kopshtin zoologjik, ai vetë e ka bërë tabelën dhe sigurisht duhet të komunikojmë me ta. Por patjetër që do të bëhet një tabelë e re sepse në vijim e sipër është rikonstruimi i parkingut para kopshtit zoologjik dhe praktikisht qyteti i Shkupit merr detyrimin të bëjë një tabelë të mirë.  Për gabimet e tjera nuk jam i informuar por për çdo rast, do të shohim.  Nëse mendoni për shenjat e trafikut, ajo është në sektorin për komunikacion dhe ata është dashur të konsultohen me profesorë nga fusha përkatëse. Ne do ta shqyrtojmë dhe do të bëhet ashtu si duhet të jetë” tha Koce Trajanovski, kryetar i qytetit të Shkupit. Për gabimet e tilla gjuhësore, shqetësim shprehin edhe profesorët e gjuhës shqipe, sipas të cilëve këto gabime kohëve të fundit janë shpeshtuar. Ata thonë se gabime mund të vërehen jo vetëm në fletushka të tilla, por edhe në mbishkrime, në emërtimin e rrugëve etj./alsat-m/

You must be logged in to post a comment Login