Enciklopedia e Kosovës

Kosova tashmë është bërë me enciklopedi të veten. Në 646 faqet e librit “Kosova, vështrim monografik”, të botuar nga ASHAK, mund të informoheni lidhur me çdo gjë që ka të bëjë me Kosovën.

Puna e filluar para tre vjetëve për realizimin e një monografie për Kosovën nga ana e Akademisë së Shkencave dhe Arteve e Kosovës ka rezultuar e suksesshme, pasi që ka dalë në dritë një botim mjaft voluminoz, që i ka munguar lexuesit kosovar.

Libri “Kosova, vështrim monografik”, me 646 faqe, është botimi i parë i natyrës monografike-enciklopedike te ne. Në të janë përfshirë fushat më të rëndësishme të njohurive për Kosovën: nga gjeografia, historia, zhvillimet politiko-juridike, ekonomia, arsimi dhe shkenca, shëndetësia dhe kultura.

Libri, për hartimin e të cilit kanë punuar 56 autorë, u përurua të enjten në sallën e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ku të pranishëm, përpos akademikëve dhe njerëzve të shkencës dhe të dijes, qenë edhe politikanë, deputetë dhe ministra, përfshirë edhe kryetarin e Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi.

Kryetari i ASHAK-së, Besim Bokshi, tha më këtë rast se përpilimi i kësaj monografie nga akademia ka plotësuar një nevojë të shprehur pas luftës për një vepër të karakterit enciklopedik për Kosovën, për një vepër, që do të sillte një prezantim të gjithanshëm e gjithëpërfshirës të Kosovës.

“Gjithë kjo punë, që zgjati më tepër se tre vjet, u përballua me përkushtim të pandërprerë të kryeredaktorëve, të redaktorëve, të anëtarëve të redaksisë e të Këshillit bashkërendues, të cilëve u shkojnë mirënjohjet tona krenuese”, tha Bokshi. Ai tregoi se Akademia ka filluar punën për versionin anglisht, pak më të shkurtër, të kësaj vepre, me të cilën, sipas tij, të huajve do t’u bëhet e mundur të kenë njohuri më të plota për shtetin e ri të Kosovës.

Në fjalën e tij, Akademik Rexhep Ismajli, bashkëkryeredaktor i monografisë, tha se kjo monografi është fryt i një pune intensive kolektive të zhvilluar me shumë vullnet e përkushtim në mjediset e pamjaftueshme për punë të ish ndërtesës së ASHAK-ut.

“Motivi që kishte shtyrë nismëtarët për hartimin e një projekti të tillë ishte evident. Në dy dekadat e fundit, paralelisht me rritjen e qëndrestarisë dhe të luftës për çlirim, me çlirimin dhe luftën për pavarësim të plotë të vendit, botimet për Kosovën, për aspekte të ndryshme të jetës, të së tashmes e të shkuarës, për kulturën e historinë, për përpjekjet për liri, për politikën, për zhvillimin ekonomik e vështirësitë që po ndesh ai, për raportet brenda vendit dhe me fqinjët, për impaktin ndërkombëtar të Kosovës, në vend dhe në botë kanë qenë më të shumta se kurrë ndonjëherë më parë”, tha Ismajli.

Ai tha se gjatë kohëve të ndryshme, ka pasur botime jo të pakta serbe me tone të theksuara propagandistike dhe negative për synimet dhe realizimin e pavarësisë. Ndërkaq, për këtë botim, Ismajli tha se qysh në fillim u mendua i ndërtuar sipas fushave, çka do të thotë se mbisundonte synimi monografik.

Nga ana tjetër, Ismajli shtoi se ishte vendosur që tekstet për fushat e ndryshme të ishin të përmbledhura dhe sintetizuese, në mënyrë që ta lehtësonin përdorimin dhe leximin e shpejtë.

Duke i përshëndetur akademikët dhe të pranishmit e tjerë, Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit të Kosovës, tha se i vie mirë që më në fund ASHAK ka këtë hapësirë fizike për të punuar dhe për të hulumtuar për vendin dhe për popullin tonë.

“Unë ju përgëzoj për këtë punë të madhe që ka bërë akademia e mbështetur nga të gjithë akademikët, kryeredaktorët, redaktorët dhe të gjithë punëtorët tjerë shkencorë që në këtë monografi kanë derdhur dijen e tyre, mundin e tyre për t’i dhënë publikut kosovar, sigurisht jo vetëm të Kosovës por gjithë shqiptarëve dhe përtej tyre, njohuritë e përgjithshme për historinë e vendit tonë, për historinë e kombit tonë, për gjeografinë jetësore të kombit tonë”, tha Krasniqi.

Kryeparlamentari Krasniqi i këshilloi akademikët që të mos ndjekin rrugën e disa akademive fqinje, që me përbuzje flasin për kombin tonë, por të shikojnë vetëm të vërtetën.

“Ne mendojmë se nuk duhet të shkojmë asaj rruge. Ne duhet të shikojmë të vërtetën për vendin tonë, të vërtetën për popullin tonë, të vërtetën për historinë e kombit tonë. Dhe më këtë punë ne duhet t’i përmbysim ato qëndrime antishkencore që janë thënë në të kaluarën e mund të thuhen edhe sot për popullin tonë dhe për vendin tonë”, tha Krasniqi.

Në këtë monografi janë hartuar 66 tekste autoriale, që mbulojnë zërat përkatës: 15 nga fusha e gjeografisë; 9 nga historia; 4 nga fusha e zhvillimeve politiko-juridike; 7 nga ekonomia; 7 nga arsimi dhe shkenca; 5 nga shëndetësia dhe 19 nga kultura.

You must be logged in to post a comment Login