DASH: Kosova, burim e destinacion prostitucioni

Raporti vjetor i Departamentit Amerikan të Shtetit thotë se “Qeveria kosovare nuk i zbaton plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit me njerëz, ndonëse bën përpjekje për t’i arritur ato“.

Në raportin, i cili mban titullin “Trafikimi me njerëz 2011“, vlerësohet se në veriun e Kosovës, rajon ky jashtë kontrollit të Prishtinës, ndodh trafikimi i brendshëm i serbëve të Kosovës.

Kosova është burim, destinacion dhe ndoshta edhe vend tranziti, për gratë që trafikohen për qëllime seksuale dhe fëmijët që trafikohen për t’u bërë lypsarë, thuhet mes tjerash në raport.

Pjesa më e madhe e viktimave të huaja që detyrohen të merren me prostitucion janë vajza të reja nga Moldavia, Shqipëria, Polonia dhe Serbia. Femrat nga Kosova janë subjekt shfrytëzimi për prostitucion brenda Kosovës dhe jashtë saj, thuhet në raport.

OJQ-të kanë raportuar se fëmijët lypsarë janë të rrezikuar nga puna e detyrueshme në Kosovë.

Ndonëse në raport kritikohet qeveria kosovare, vlerësohet megjithatë shtimi i fondeve dhe përpjekjet për parandalimin e trafikimit.

Zgjidhja e rasteve të trafikimit kanë qenë të ngadalshme dhe numri i dënimeve ka qenë më i vogël se në vitin paraprak. Raporti jep edhe të dhëna statistikore, duke thënë se në çdo 10 bastisje të kryer, është zbuluar një viktimë e re.

Raporti i DASH-it, gjithashtu thotë se “në fund, ka pasur hetime dhe ndjekje penale të zyrtarëve publikë për pjesëmarrje në trafikim, por nuk ka pasur dënime”.

Në pjesën e rekomandimeve për Kosovën, DASH-i bë thirrje për “ndjekje penale pro-aktive, gjykim dhe dënimin e autorëve të trafikimit të njerëzve për punë dhe qëllime seksuale, duke përfshirë edhe ndjekjen e dënimin e zyrtarëve të përfshirë në këtë krim“.

rel

You must be logged in to post a comment Login