Berisha: Reformimi i administratës, sfida e qeverisë

Në Tiranë po zhvillohet konferenca “Reformimi i Administratës Publike” ku merr pjesë kryeministri Sali Berisha, ambasadori i BE-se, Ettore Sequi dhe ambasadorë të tjerë të akredituar në Tiranë.

Nga ana e tij kryeministri e cilësoi si prioritet të qeverisë reformimin e administratës publike dhe domosdoshmëri ngritjen e Universitetit të Administratës Publike, për të cilin ka kërkuar ndihmën e qeverisë franceze dhe sipas tij kjo qeveri do ta mbështesë në këtë nismë të domosdoshme

Kryeministri Berisha tha se reformimi i administratës publike me të gjitha aftësitë për tu përballur me sfidat e kohës mbetet detyra më konstante për qeverinë. “Qeveria është e vendosur të mobilizojë dhe të japë mbështetjen për reformimin e administratës si një kusht për reformat në vend”, nënvizoi kreu i qeverisë.

Duke shprehur mirënjohjen e tij për punën e administratës, kryeministri Berisha theksoi se ajo ia ka dalë të shënojë reformat më të thella të ndryshimeve të mëdha në vend.

“Këto janë vite të transformimeve të mëdha. Në një vend në të cilin krimi bënte ligjin, sot në sajë të reformave Shqipëria renditet në pozicion të admirueshëm në rajon dhe në botë. Ekonomia shqiptare është nga një më të paktat që nuk e njohën recesionin dhe dyfishuan të ardhurat buxhetore” theksoi Berisha ndërsa shtoi se tërësia e reformave të ndërmarra bëri që ekonomia shqiptare në periudhën e cunamit financiar më të madh të mbetet jashtë recesionit.

Më tej kryeministri Berisha theksoi se reformat do të mbeten motoja e kësaj qeverie ndërsa shtoi se reformat në administratë do të bëjnë të mundur që ajo të jetë e aftë të përmbush misionin jetik për ta shndërruar në realitet ëndrrën e çdo shqiptari “Shqipëria vend i zhvilluar”.

You must be logged in to post a comment Login