AI: Gruevski të mos “vrasë” mediat

Qeveria maqedonase po bën përpjekje për t’i mbyllur gojën medieve. Në këtë konstatim ka arritur Organizata Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut Amnesty International.

AI, i bën apel qeverisë maqedonase të mos tentojë të ndalojë mediat që të flasin pasi kështu është duke shkelur lirinë e shprehjes, një e drejtë fundamentale.

Reagimi ka ardhur pasi javën e kaluar u shuan tri gazetat, Shpic, Vreme dhe Koha e Re ndërsa edhe televizioni A1 pritet të ketë të njëjtin fat.
Sipas Amnesty International, këto mbyllje të gazetave, janë politikisht të motivuara.

“Ky nuk është një incident i izoluar, por ‘larje hesapesh’ me mediet të cilat kishin qasje kritike ndaj Qeverisë. Kjo larje hesapesh ka zgjatur pothuajse një vit. Mbyllja e gazetave më shumë i ngjanë një sulmi ndaj lirisë së shprehjes”, vlerëson AI.

“Pohimet e autoriteteve janë se mediet e drejtuara nga Velija Ramkovski kanë fshehur rreth 10 milion euro tatime dhe se nëse shumën e njëjtë nuk e paguajnë do të mbyllen. Gjithashtu është hedhur poshtë kërkesa që parat apo borxhi të paguhet me këste. Ekziston shqetësimi se është e mundur që edhe televizioni A1 të mbyllet”, theksoi Nikolla Dakvort, drejtor i Amnesty International për Evropë dhe Azi Qendrore.

Edhe përfaqësuesja e OSBE-së për lirinë e medieve, Dunja Mijatoviq ka reaguar.
Ajo ka shprehur shqetësime në emër të organizatës lidhur me gjendjen e tre medieve që u mbyllën për shkak të mospagesës së tatimeve si dhe për shkak të largimeve të të punësuarve nga gazeta “Utrinski”. /albeu.com/

You must be logged in to post a comment Login