Agjenda evropiane gjithnjë e më e qartë

Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi vizitën e tij në Bruksel, posaçërisht takimin me baroneshën Catherine Ashton e ka vlerësuar si të një rëndësie të veçantë, pasi sipas tij agjenda evropiane për Republikën e Kosovës gjithnjë e më tepër po bëhet më e qartë, në veçanti sa i përket liberalizimit të vizave, marrëdhënieve kontraktuale dhe marrëdhënieve tregtare me Bashkimin Evropian.

“E ardhmja e shtetit të Kosovës është e ardhme evropiane, është e vetmja rrugë”, theksoi mes tjerash kryeministri Thaçi të martën në konferencën për media, mbajtur në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, citohet të ketë thënë Thaçi pas kthimit nga vizita zyrtare në Bruksel.

Në Bruksel, sipas kryeministrit Thaçi, tashmë ka konsensus të plotë për të ardhmen dhe perspektivën evropiane të Republikës së Kosovës dhe të rajonit. “Ajo çka është më rëndësi është se edhe në Kosovë ka konsensus për të punuar për perspektivë evropiane, për të punuar bashkërisht i gjithë spektri politik, pra një konsensus ndërpartiak dhe gjithëtnik”, tha ai.

“Deri më 1 shtator do të punojmë maksimalisht, që edhe Parlamenti i Kosovës t’i aprovojë rreth 40 projektligje, të cilat i ka dërguar Qeveria e Kosovës, në mënyrë që t’i plotësojmë, por në të njëjtën kohë edhe aprovojmë edhe shumë projektligje që i kemi dërguar dhe që ndërlidhen drejtpërdrejt edhe me procesin e suksesit në raportin e progresit”, tha ai.

Thaçi shprehu besimin e tij se edhe Parlamenti do të punojë në mënyrë dinamike gjatë tërë kohës në mënyrë që të përmbyllet me sukses aprovimi i këtyre projektligjeve, që janë të rëndësishme për procesin e dialogut për liberalizimin e vizave dhe marrëdhënieve kontraktuale e tregtare me BE-në.

“Tani presim një proces shumë më dinamik të procesit të anëtarësimit të Kosovës në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD). Tani më veç i kemi siguruar 42 vota të mjaftueshme. Me një letër i jam drejtuar edhe z. Olli Rehn, që kjo çështje të procedohet sa më shpejt që është e mundur”, tha Thaçi.

Brukseli, siç tha ai, e ka mirëpritur dialogun, e ka lehtësuar dhe udhëhequr së bashku me SHBA-të. “Prandaj, edhe dakordimi i fundit për tri çështje të caktuara mes delegacionit të shtetit të Kosovës dhe Serbisë, janë shumë të mirëpritura në Bruksel”, tha Thaçi.

“Janë marrëveshje të modelit evropian, sa i përket nostrifikimit të diplomave, që ka qenë çështje vazhdimisht e diskutueshme dhe e kërkuar prej shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, të cilët e kanë mirëpritur dhe i kanë duartrokitur kësaj marrëveshje”, shtoi ai.

“Gjithashtu sa i përket lëvizjes së lirë, edhe lëvizjes së mallrave, është diçka e re, aspekt teknik, por e domosdoshme edhe për qytetarët e Kosovës dhe gjithë rajonit dhe në të njëjtën kohë edhe sa i përket regjistrit civil dhe çështjeve tjera teknike që do të vijnë në proces e sipër”, u shpreh kryeministri Thaçi. /Zëri/

You must be logged in to post a comment Login